“Dhënia e vendimit haptazi të padrejtë” Të rikthehet në Kodin Penal
January 6, 2020Unë jam Fildes!
Cfarë jemi ne, qenie të evolucionit të llojit, që bashkë me intelektin dhe afektet është mbartur te disa e keqja, si sëmundja më e madhe njerëzore. E keqja për t’i bërë dëm tjetrit, e keqja për t’i dhënë të drejta vetes mbi tjetrin.
Ngjarja tronditëse e vrasjes së gruas sot, të një jete me vlerë për shoqërinë, është pikëlluese sa reflektimi që krijon duket gati cinik. Janë dy ditë që mendoj dhe nuk mundem të shkruaj.
Po shkruaj. Po them se jam një femër e dhunuar nga kjo ngjarje. Jam aty kur vendosa të studioj për drejtësi dhe burri, babai i fëmijëve nuk më la, por, mes dhunës, arrita të coj para pasionin tim, që të jem e fortë nëpërmjet intelektit, që të jem e pavarur dhe të kem pozitë në shoqëri.
Nuk ka qetësi nëse partneri mashkull mendon se jam pronë e tij, vetëm sepse jam gruaja e tij femër. Ai mendon se ka të drejta mbi mua, mbi lirinë, zgjedhjet e mia, nuk mendon se jam individ i lirë dhe se jemi në një bashkim të barabartë respekti.
Jam aty me të, kur humba dinjitetin njerëzor të poshtërimit nga ky burrë përmes dhunës së tij publike, por me këtë fakt kam bashkëjetuar me kohë, kur një ditë në mes të plazhit të Durrësit jeta mu shfaq para syve, pastaj u shfaq vajza ime e cila ju përgjërua të atit për jetën time. Dhe ai e fali, si të ishte zoti im.
Mes frikës vendosa të mbroj veten duke u ndarë nga burri im dhunues dhe mes frikës, guxova për të bërë gjënë e duhur, të kërkoj mbrojtjen e së drejtës nga organet e drejtësisë.
Edhe pse ai nuk ishte për ca kohë fizikisht, dhuna e tij vështire të harrohej për mua dhe fëmijët.
Kuptova se dhuna ishte aty që kur u lidha me të, kur unë i dhashë dashurinë time dhe në shkëmbim me këtë ai mendoi se më bleu lirinë. E që atëherë dhuna do të ishte aty gjithmonë në përjetimet e mia.
Deri sa një ditë, do të më shfaqej pas xhamit të makinës, unë nuk pranova t’i nënshtrohem dhe ai më vrau.
Nuk pendohem për burgun e tij, edhe pse ai ishte i lirë i rrezikshëm pasi doli dhe unë ju dorëzova drejtësisë që ajo të më mbronte.
Burri që më vrau nuk është thjesht një kriminel. Nuk vrau dikë tjetër sepse ishte kriminel. Ai është një kriminel i shoqërise maskiliste. Vrau gruan e tij, sepse ajo “i përkiste.” Vrau një grua.
Të gjitha femrat shqiptare e dinë se cfarë po them. Të gjitha jemi të dhunuara sot nga ky akt.
Ato që në ndonjë formë i nënshtrohen dhunës nuk duhet të tremben. Nuk duhet ta pranojnë në koncept dhe as ta lejojnë.
Drejtësia do vazhdojë ta bëj më mirë punën e saj. Por, ne si gjysma e shoqërisë duhet të kemi forcën për të drejtat tona. Lufta gjinore është akoma sot një cështje globale. Në, nënat, motrat, bijat e kësaj gjysme të shoqerisë nuk duhet të lejojmë që forca mashkullore të cënojë në të drejtat tona, sepse kjo con në dhune, kjo con në kriminelin maskilist që rritet në gjirin e shoqërisë shqiptare.
Fildes është histori e gruas shqiptare. Jo të gjitha janë vrarë, por shumë janë dhunuar. Unë sot jam ajo, dhe do vazhdoj të jem. Fatet qahen ose ndryshohen. Unë jam Fildes Hafizi, sepse ajo u përpoq ta ndryshojë fatin e saj. Cdo femër shqiptare, dhe e gjithë shoqëria, duhet ta cojnë më tej këtë përpjekje.
Arnida Çapi
#UnëJamFildes